Home Press

Press

Të nderuar miq, 

Kur po e përmbyllim këtë vit, të sfidave por edhe sukseseve, të rënieve e ngritjeve tona, e themi sërish me krenari se i kemi mbetur besnik vlerës artistike dhe mbi të gjitha shikuesit tonë. Në fundvite kur zakonisht përmblidhen të gjitha punët, ne e vlerësojmë  të rëndësishëm faktin se e kemi ruajtur funksionimin e kinemasë së qytetit, që për shumë vite përafroi shikuesin me botën e kulturës dhe artit në përgjithësi.

Kemi bërë të pamundurën që të jemi më afër jush, miq dhe artdashës; t’ju ofrojmë mundësitë e pafundme të kinematografisë botërore; t’i afrojmë vlerat e botës me ato të vendit tonë dhe t’ju mundësojmë të gjithëve ta ndjejnë kinemanë si shtëpinë e tyre.

Nuk është asnjë sukses i yni vetëm i yni, por është sukses i yni i përbashkët sepse kinemaja ABC është ngritur, rritur dhe zhvilluar me artdashësit dhe ata që e kanë njohur artin e kanë punuar për të. Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen time edhe për Agjencinë Kosovare të Privatizimit që administron me Kino ABC, për përkrahjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që na ka ofruar në arritjen e objektivave tona!

Kemi shënuar suksese në një vit të punës për aq sa kemi patur mbështetjen e të gjithëve dhe për aq sa kjo mbështetje na ka mundësuar ecjen tonë përpara. E kemi përsëritur për vite të tëra se Kinemaja e qytetit, ka qenë e vetmja në Prishtinë që i ka ofruar artdashësve nga i gjithë vendi një mundësi më shumë. Dhe këtë e kemi bërë me qëllimin për të dëshmuar se Kosova ka nevojë për më shumë art, më shumë kinematografi, më shumë zhvillim kulturor, për më shumë shtrirje. E kemi bërë për të theksuar faktin se ruajtja e vlerave të mirëfillta kulturore do të mund piraterinë që ka qenë shtrirë një kohë të gjatë në vend. Se vlerat e shtuara do të pengojnë çdo lloj devijimi të kulturës. Prandaj, ne besojmë fort në vlerat e kulturës dhe të kinematografisë, sepse i kemi kultivuar ato për më shumë se 16 vjet dhe besojmë fuqishëm se bashkërisht me të gjithë ata që e duan artin kinematografik, me publikun tonë, do të vazhdojmë të jemi në ballë të këtyre vlerave.

Me urimin për festat e fund vitit, me dëshirat më të mira për secilin, ju kujtojmë se tek ne, tek Kino ABC do të gjeni gjithnjë mikun tuaj të vlerave artistike, do të gjeni gjithnjë mbështetjen tuaj dhe si gjithnjë dritaren tuaj të botës kinematografike.

Me urimin për festat e fund vitit ju themi Gëzuar.  

 

 

Të nderuar miq,

Ky është viti i 16-të që vazhdojmë të jemi së bashku; në uljet dhe ngritjet e përbashkëta, nëpër sukseset dhe rëniet tona, me vizionin e qartë për një mjedis që ofron më shumë ngrohtësi për artdashësin, për kineastin, për të gjithë ata që KINO ABC-në e ndjejnë si shtëpinë e tyre.

Nga shiriti filmik prej vitesh kemi kaluar në një sistem digjital, që ka ofruar më shumë mundësi, më shumë përparësi dhe gjithsesi ka krijuar një lidhje më të fortë e me të drejtëpërdrejtë me të gjithë artdashësit.

Kinemaja ABC sot ka një lojllojshmeri tematikash të përzgjedhura të filmave: për më të vegjlit, për fëmijët që krijojnë kulturën e shijimit të artit filmik por edhe për të gjtihë ata që e duan filmin dhe që duan të jenë pjesë e pandashme e botës.

Kemi ndërtuar lidhje me shumë distributorë në botë, për ta sjellë filmin në kohë dhe pa pengesa, kurdo që ai të shfaqet në cilëndo kinema të botës, për ta përmbushur kërkesën, nevojën e dëshirën e secilit prej jush. Por natyrisht duke ruajtur me xhelozi standardin e përcaktuar dhe nivelin profesional.

Ne nuk jemi të paprekur nga fenomenet e piraterisë, sado që ligjet në vend janë miratuar dhe fillimisht qenë zbatuar. Dhe kjo po i dëmton përpjekjet tona për të ndërtuar një  institucion të fortë të kulturës, ku njerëzit do të ndjehen pjesë të shtëpisë dhe ku secili do të ketë mundësinë ta thotë fjalën e tij. Ne nuk kemi fuqi ta luftojmë të keqen vet; nuk kemi aspak forcë ta mbrojmë vlerën nga jo-vlera dhe më së paku kemi mundësi që vetë ta fitojmë betejën në raport me piraterinë. Neve na duhet përpejekje e bashkërenduar e të gjitha institucioneve për t’i dhënë fund një dukurie që nuk e dëmton vetëm funksionimin e kinemasë por godet vlerën e mirëfilltë të filmit.

Do të vazhdojmë të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe te gjithë atyre që duan të jenë më afër artit filmik.

Per cdo vit, që prej filimit të punës, miq të dashur ju kemi uruar, sepse secili përvjetor yni ka qenë pjesë e juaja dhe sepse ne e kemi ndarë atë së bashku me ju.

Urime edhe këtë 16 vjetor. Do të jemi gjithnjë së bashku!

Me nderime,

Miradije Vllahiu

Drejtoreshe

 

Të dashur artdashës,

Çdo vit kemi kremtuar së bashku çdo përvjetor të Kinemasë ABC, me dëshirën e madhe që ta bëjmë atë dritaren e pazëvendësueshme të lidhjes me kinematografinë botërore.

Për të pesëmbëdhjetin vit, po qëndrojmë së bashku me gatishmërinë që kinemanë ABC ta shohim jo vetëm si pjesë të përditshmërisë sonë, por si një institucion që luan rol të rëndësishëm në kultivimin e vlerave në fushën e kinematografisë.

Për çdo vit ne kemi ecur në hap me botën, duke arritur nivelin e modernizimit të kinemasë dhe duke u përpjekur që të përmbushim kërkesat e shikuesve. Ketu e tre vite kemi ndërtuar  një marrëdhënie të re dhe të fuqishme me shikuesit, me vazhdimin e punës përmes sistemit të ri digjital dhe 3D, e cila ka rezultur ne interes te plotesimit te kerkesave te adhuresve te filmit.

Ky hap i madh përpara brenda pak vitesh për Kinemanë e qytetit, është një sukses yni dhe ka permbush nje nga misionet tona, andaj Ne besojmë fuqishëm se do të vazhdojmë të jemi në hap me shikuesin, me kërkesat e nevojat e tij, duke bërë kështu  botën e filmit një pjesë të  rëndësishme të jetës së qytetarëve.

Brenda pothuaj tre viteve të funksionimit me sistemin e digjitalizimit, Kinemaja ABC është rikthyer tek shikuesit, dhe kjo ka ndikuar në ndryshimin e perceptimit  për filmin, për vlerën e tij dhe për një dimension më të mirë dhe më të fuqishëm kinematografik.

Rikthimi i shikuesve në sallë, oferta më e mirë dhe më e larmishme, sistemi më i mirë i punës vazhdojnë të jenë përparësitë tona dhe ne duam që Kinemanë ABC ta bëjmë vendin ku gërshetohen kulturat, ku shkëmbehen përvojat kinematografike dhe ku shikuesi është pjesë e pandashme e tij.

Ne jemi Kinemaja më e vjetër në vend dhe Ne duam qe sistemi i kinemave në gjithë territorin e Republikës së Kosovës të funksionalizohet, për të ndihmuar qytetarët dhe për t’u ofruar atyre vend ku do të shijojnë vlerat kinematografike, jo vetëm të botës por edhe të vendit tonë.

Deri në këtë ditë, le ta gëzojmë këtë 15 vjetor të Kinemasë ABC-së, me zotimin tonë se Ne vazhdojmë të jemi këtu për të gjithë ata që e duan kinematografinë.

Me nderime,

Miradije Vllahiu

Drejtoreshe

 

 

Miq të dashur

Po hyjmë së bashku në një Vit të Ri, të pesëmbëdhjetin me radhë, duke vlerësuar gjithë punën tonë brenda një viti dhe duke parë të arriturat, rezultatet dhe sfidat tona. Së bashku kemi kaluar edhe një vit, por këtë herë më të bashkuar dhe më pranë njëri-tjetrit. Së bashku kemi përmbushur një synim të fillim vitit, që Kinemanë ABC ta bëjmë vendin ku do të takohemi më shpesh për të shijuar artin kinematografik jo vetëm botëror por edhe atë shqiptar.

Dhe bashkë ia kemi dalë! Kemi arritur që viti 2014 të jetë viti më shikueshmërinë më të madhe në pothuaj një dekadë, prej rreth 56 mijë shikues, me një numër më të madh të premierave botërore dhe me cilësinë më të madhe.

Ky është viti kur filmi shqiptar, krahas filmave botërorë, ka ardhur më shumë në shprehje, kur në kinemanë ABC përgjatë 365 ditëve janë shfaqur 10 premiera të filmave shqiptarë, duke tërhequr 20 për qind të numrit të përgjithshëm të shikuesve.

Ky vit na bëri krenarë të gjithë neve, artdashës, njerëz të kulturës dhe kinematografisë, shikues të shtresave të ndryshme të shoqërisë, që në kinemanë ABC kanë gjetur vendin e tyre ku shkëmbejnë edhe idetë dhe ku shijojnë artin.

Por ky vit na bën që të jemi edhe më të përkushtuar, sepse kinemaja ABC, si e para kinema në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, që prej 15 vjetësh, vazhdon të mbetet krenaria e kryeqytetit dhe e gjithë vendit. Na bën të jemi më të përkushtuar në punën tonë për të siguruar që të gjithë shikuesit dhe artdashësit ta gjejnë veten dhe ta shohin atë si dritaren e ndërlidhjes me botën e tyre të kinematografisë.

Dhe Ne jemi të përkushtuar që të sjellim vetem vlera.

Perzemersisht,

Miradije VLLAHIU
Drejtoreshë
N.SH. KDSHF ‘GENCI’

VAZHDON SHFAQJA E FILMAVE NË – Kino ABC